
Policia e Tiranës ka nisur hetimet në gjendje të lirë për bashkëshortin e deputetes së PS Elisa Spiropali, Salarjon Totaj, pasi akuzohet për veprën penale të kanosjes për shkak të detyrës.
Sipas informacioneve nga policia, mësohet se Totaj, përmes celularit ka kanosur dhe kërcënuar një drejtoreshë sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, duke i shkruar mesazhe të tilla si “nuk do t’ia harronte deri sa të vdiste” dhe se “do ta vriste”.
Incidenti ka ndodhur pas një kontrolli që Tatimet kanë krye në një biznes të një familjari të Totajt. Mësohet se kanosja është bërë përmes celularit, me mesazhe.
Menjëherë pas mesazheve kërcënuese, drejtoresha e një sektori të Tatimeve i është drejtuar policisë me denoncim.
Salarjon Totaj është thirrur në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës për rreth 2 orë këtë të martë dhe është përballur me denoncimin dhe mesazhet kërcënuese, të cilat i ka pranuar se i ka shkruar vetë./Versus.al

