
Këto janë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë brenda filalit të Postës Shqiptare në Durrës nga ku dyshohet se ish-drejtoresha Elisabeta Mataj, ish-shefja e Financës, Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana kanë bashkëpunuar për të marrë 700 mijë euro të pensioneve e ndihmave sociale.
Mataj është në qeli ndërsa 2 vartëset e saj në arrest shtëpie. Pamjet tregojnë momentin kur ish-shefja e Financës shihet me një qese të zezë në dorë ku dyshohet se janë futur 69 milionë lekët që 'avulluan' për të cilat ish-drejtoresha ka thënë se nuk e ka idenë se ku janë.
Dy ditë pasi Gjykata vendosi masën e sigurisë ndaj saj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në masën “arrest në burg”, ka depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza të rënda ndaj ish-shefes së Financës Valbona Duni. Mataj, Duni dhe P. Dana akuzohen nga prokuroria, pas kallëzimit të Postës Shqiptare, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim.
Në kallëzimin e bërë dje, më 20 korrik, Feta Mataj pretendon se bashkëshortja e tij është bërë përgjegjëse pa të drejtë për skandalin financiar në Postën e Durrësit, ndërsa sipas tij, duhet të hetohet edhe ndaj Valbona Duni e cila shfaqet edhe në pamjet e sigurisë. Ai pretendon se rroga e Dunit prej 60 mijë lekësh nuk justifikon pasuritë dhe makinat luksoze që ajo ka.
Ndërsa gjatë seancës gjyqësore për masat e sigurisë, prokurori pyeti Matajn nëse kishte shkuar në kazino, pyetje të cilës ish-drejtoresha iu përgjigj duke thënë se diçka e tillë nuk është e ndaluar. Prokuroria vijon hetimet për rastin skandaloz, ndërsa ende nuk provohet fajësia e asnjërës prej të dyshuarave. Versus.al

