
Një grup prej disa nismëtarëve të protestës kombëtare, në ditën e 34-t të protestës ka vendosur nisjen e procesit për thirrjen e një Kuvendi Kombëtar. Në postimet e publikuara në rrjetet sociale të aktivistëve si Klajdi Bello e Armir Shkurti, thuhet se janë miratuar në mënyrë unanime kriteret që duhet të kenë ata që duan të jenë pjesë e Kuvendit Kombëtar.
Në fotot e publikuara nga mbledhja vihen re edhe personazhe të njohur si, ambientalisti Sazan Guri, anëtari i PSD-së në Elbasan, Erion Murataj dhe gazetari Ferdinand Dervishi. Në deklaratën e grupit nënvizohet qëndrimi unanim për të mos patur negociata me kryeministrin Edi Rama duke i kërkuar këtij të fundit dorëheqjen.
Deklarata e plotë
Njoftim i Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Dje, më datë 3 korrik 2026 u mbajt mbledhja e dytë e Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar. Mbledhja e këtij grupi dhe qëllimi i tij janë bërë me miratimin e Grupit Nismëtar Koordinues të Protestës Kombëtare, një pjesë e të cilëve janë pjesëtarë të grupit të punës, ndërsa të tjerë erdhën me cilësinë e vëzhguesit.
Kuvendi i Kombëtar Qytetar ka për qëllim të marrë rolin e përfaqësuesit gjithëpërfshirës të Protestës Kombëtare, por vetëm nëse merr më parë miratimin e mbarë qytetarëve protestues. Theksojmë që pa marrë paraprakisht këtë miratim nuk mund të quhet ende përfaqësues i Protestës Kombëtare.
Qëndrimi unanim dhe i padiskutueshëm i grupit të punës për formimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar është : NUK KA DHE NUK DO TË KETË NEGOCIATA me Edi Ramën.
Grupi i Punës në themel të veprimtarisë së tij ka këto qëndrime, prandaj ka ngjallur frikën dhe revanshin e sistemit të vjetër dhe establishmentit aktual, i cili, me të gjitha mjetet, po lufton ta përçajë, delegjitimojë dhe armiqësojë Grupin e Punës me protestuesit dhe popullin si dhe po investon gjithçka për të ndaluar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar.
Ky establishment ka tmerr nga bashkimi i të gjithë shqiptarëve atdhetarë në një tryezë të përbashkët ku do të ulen e bashkëveprojnë mbi 300 persona anti establishment, nga më cilësorët që ka vendi ynë
Ndërkohë puna nga ana jonë po vazhdon me intensitet dhe presioni i politikës së vjetër bashkë me mediat e kapura të saj thjesht po rrit motivimin tonë e të mbarë qytetarëve protestues.
Kuvendi Kombëtar Qytetar është i popullit dhe produkt i protestës qytetare. Ai do të mblidhet me çdo kusht e çdo shqiptar atdhetar do ta ndiejë veten të mirëpërfaqësuar prej tij! Versus.al

