
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar për pretendimet e avokatit Gentian Serjani i cili sot deklaroi se klienti i tij, protestuesi Niko Qarkaj i cili vuan nga epilepsia, ishte dhunuar në ambientet e paraburgimit.
Lamallari tha se nga informacionet që ka marrë nga policia, pretendimet e Serjanit janë krejtësisht të pavërteta dhe të pabaza. Ndërsa shtoi se në rast se edhe AMP do të dalë në të njëjtat konkluzione lidhur me ngjarjen, atëherë do të referohen materialet për avokatin Serjani me arsyetimin se thëniet e tij kanë nxitur urrejtje.
Reagimi i ministrit:
Duke marrë shkas nga deklaratat e bëra publike si në videon bashkëlidhur i kam kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit informacion mbi pretendimet e rastit në fjalë. Policia e Shtetit më ka informuar se pretendime të tilla janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta.
Më pas Agjencia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.
Por ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka vepruar kryesisht dhe pavarësisht prej Policisë së Shtetit duke i vizituar të ndaluarit për akte dhune, po ashtu nuk ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre.
Nëse edhe AMP-ja do të dalë në të njëjtat konkluzione Policia e Shtetit i lind e drejta dhe detyrimi jo vetëm për referimin në prokurori të deklaruesit sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje, por edhe për referimin në Dhomën Kombëtare të Avokatisë ku buron liçenca e një avokati të dyshuar për papërgjegjshmëri etiko-profesionale. Versus.al

