Sot ka nisur viti i ri shkollor në të gjithë vendin. Në total rreth 345 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës nga klasa e parë deri në gjimnaz. Mes tyre 26.500 nxënës ulen në bankat e shkollës për herë të parë. Ndërkohë 31 mijë mësues në gjithë vendin do të jenë në dispozicion për procesin e mësimit.
Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka rreth 1500 nxënës më pak të regjistruar për herë të parë në shkollë, ndërsa nga totali i përgjithshëm i nxënësve, numri i tyre krahasuar me 2024-ën është 5500 nxënës më pak. Risi në këtë vit është shtimi i numrit të mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuar, plot 2260 në total, 150 mësues më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Siguria
Për këtë vit është përpiluar një plan i mirëfilltë për garantimin e sigurisë pranë shkollave. Urdhri i firmosur nga Ilir Proda përmban shtimin e numrit të efektivëve në shkolla gjatë orarit të mësimit apo pushimit të madh. Sipas policisë, janë marrë masat për të vlerësuar çdo informacion të mundshëm për ndonjë konflikt që mund të kenë nxënësit me njëri-tjetrin për të shmangur çdo situatë të rrezikshme.
Nxënësit, mund ta marrin me vete celularin në shkollë, nëse prindi e argumenton të domosdoshme, por gjatë orës mësimore duhet ta fikë ose ta vendosë në “airplane mode” për ta futur më tej në kutinë e posaçme në klasë. Udhëzimi i vitit 2018, që i ndalonte plotësisht, është shfuqizuar, pasi nuk arriti të zbatohej në praktikë. Versus.al







