Ditën e djeshme u përcoll për në banesën e fundit, Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës i cili ndërroi jetë disa ditë më parë në një spital të Gjermanisë ku kishte kryer një ndërhyrje në zemër.
Në emisionin “Opinion” u risoll në vëmendje një deklaratë e bërë prej Lames pasi kishte bërë ndërhyrjen e parë në zemër, asokohe kur operacioni kishte shkuar mirë. Lame rrëfeu momentet kur e kishte parë veten në kushte të vështira dhe ndërkohë në TV shihte sesa debate të pavlera dukeshin shumë gjëra në raport me gjendjen ku ishte ai.
“Kam filozofuar shumë dhe për një muaj isha komplet tjetër. Duhet të më imagjinosh me ato tubat në gojë që shkonin deri në stomak, me gjoksin e hapur që dilnin ca tuba të tjerë, me ato që vareshin nga të gjitha anët se nuk kishte më damarë për të marrë gjakun. Komplet në një botë tjetër. Dhe shikoja se kisha televizorin përballë, i cili fliste për broçkullat e zakonshme, ne do shkojmë atje, se bulevardi. Ai tjetri që thoshte, jo se grupi jonë do bëjë këtë. Dhe unë që thosha “O Zot me çfarë merren këta”. Pra ti kupton aty çfarë janë vlerat e vërteta të jetës”, shprehej i ndjeri Lame për Fevziun.
Përjetimi i kësaj periudhe të vështirë në jetë, e kishte bërë Lamen që të reflektonte mbi qëllimet që duhet të ketë një njeri në këtë botë.
“Një nga amanetet e Steve Jobs, i cili thoshte tani që i humba të gjitha, shëndet etj., dhe po vdes me miliardat, ndërkohë që Afrika është plot me të shëndetshëm që nuk kanë të hanë ndërsa unë kam miliardat dhe nuk kam shëndetin, dhe lindte disa amanete. Një ndër to që më është fiksuar, është bëni para sa për të jetuar mirë dhe nga ajo ditë hiqni dorë nga çdo lloj biznesi dhe merruni me pasionet tuaja në jetë”, u shpreh Lame.
Intervistën e tij ai e përfundoi me shprehjen: “Njeriu nuk jeton për paratë”. Versus.al







