
Gertin Aliu, njëri prej anëtarëve të grupit kriminal që u godit nga autoritetet italiane dhe shqiptare në operacionin “Ura” të 21 majit, është arrestuar në Belgjikë nga autoritetet vendase.
Ndaj Aliut, gjykata e Barit në Itali kishte caktuar masën “arrest me burg” nën akuzën e trafikut të drogës dhe të pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Arrestimi i tij u krye falë një bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare, belge dhe italiane.
Në përgjimet e zbardhura në dosjen që Versus.al siguroi për operacionin “Ura” me 52 urdhër arreste, Gertin Aliu kishte një rol kyç në kalimin e kokainës nga porti i Durrësit prej ku ndihmohej nga vetë punonjësit të cilët e mbanin lëndën narkotike me vete dhe më pas ua kalonin shoferëve të kamionëve.
Aliu bashkëpunonte gjithashtu me persona të identifikuar si Adi Çoba (ndërmjetësi i trafikut të drogës me Turqinë e Amerikën Latine) si dhe me Orges Mollën e Ervis Detin. Ky grup funksiononte si “nëngrup” i Troplinëve me në krye Ervis Doçin (Visin e Pojës) i cili falë fuqisë së tij mundësonte transportin e lëndëve narkotike në shtete të ndryshme të Evropës. Pas arrestimit, do të kryhen procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë. Versus.al







