
Projekti fitues për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, studio zbvicerane e udhëhequr nga Herzog & de Meuron Basel Ltd, e njohur për projekte ikonike në mbarë botën.
Në garën ndërkombëtare morën pjesë pesë studio të njohura arkitekturore me reputacion botëror.
Studio fituese prezantoi një qasje konservuese ndaj godinës ekzistuese, duke synuar ruajtjen e identitetit historik dhe arkitektonik të Pallatit të Kongreseve.
Arkitektët theksuan se ndërhyrja do të jetë minimale dhe e kujdesshme, duke respektuar karakterin e ndërtesës.
Sipas tyre, Pallati i Kongreseve ka qenë një objekt novator për kohën kur u ndërtua dhe mbart vlera të rëndësishme historike e arkitekturore që duhen ruajtur.
Koncepti fitues bazohet në disa ndërhyrje strategjike që synojnë transformimin e kompleksit në një qendër moderne konferencash dhe aktivitetesh publike.
Një nga elementët më të spikatur është krijimi i një hapësire të gjelbër rreth ndërtesës, e konceptuar si një “dhomë pritjeje urbane” për qytetarët dhe vizitorët.
Projekti parashikon ndërtimin e një sheshi të ri publik, riorganizimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe krijimin e një atriumi të madh që zbret gradualisht drejt niveleve të poshtme të kompleksit, duke krijuar efektin vizual të një pylli urban në zemër të qytetit.
Brenda godinës aktuale do të realizohen ndërhyrje të rëndësishme teknike, përfshirë përmirësimin e akustikës, zëvendësimin e çatisë ekzistuese me një strukturë moderne çeliku dhe krijimin e gjashtë sallave të reja konferencash me një kapacitet total prej rreth 1,600 pjesëmarrësish. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një kulle multifunksionale që do të përfshijë ambiente zyrash dhe hotel.
Vendin e dytë në konkurs e zuri skuadra e drejtuar nga MVRDV, e cila propozoi një transformim të Pallatit të Kongreseve në një qendër të re konferencash, duke ruajtur strukturën ekzistuese dhe duke e zgjeruar atë në mënyrë simbolike. Arkitektët e përshkruan konceptin e tyre si një “perlë” që duhet të hapet dhe të zgjerohet si në pjesën e sipërme ashtu edhe në atë të poshtme.
Propozimi i MVRDV synonte ta lidhte më fort kompleksin me hapësirat publike përreth, duke shtuar funksione të reja kulturore, konferencash dhe rekreative. Një element dallues ishte krijimi i pikave panoramike deri në 72 metra lartësi, duke i dhënë ndërtesës një dimension të ri urban dhe turistik.
Në vendin e tretë u rendit skuadra e udhëhequr nga Studio Gang, e cila prezantoi një koncept të frymëzuar nga komplekset urbane multifunksionale amerikane. Projekti parashikonte dy volume simetrike të lidhura me godinën ekzistuese, duke krijuar një ansambël që vetë arkitektët e krahasuan me një version të vogël të Rockefeller Center.
Propozimi i Studio Gang fokusohej në ruajtjen e monumentalitetit të Pallatit të Kongreseve, por njëkohësisht në rritjen e aksesueshmërisë dhe fleksibilitetit të tij. Në projekt përfshiheshin zgjerimi i auditorit, shtimi i hapësirave teknologjike për skenën, rritja e kapaciteteve të parkimit dhe hapja për publikun e tarracës së gjelbër përmes një sistemi ashensorësh të jashtëm. Gjithashtu, parashikoheshin kullat “Çardak”, një hotel dhe rrugë të reja këmbësorësh që do të përmirësonin lidhjen e kompleksit me pjesën tjetër të qytetit. Versus.al

