
Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca gjyqësore e radhës për Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Gjatë seancës avokati i kompanisë “Homeplan” dhe i Fatmir Bektashit, Sokol Hazizaj, u shpreh se ky proces ka një karakter të theksuar politik, duke qenë se kallëzimi është bërë nga një subjekt politik ndaj një subjekti tjetër politik.
Ai kërkoi pavlefshmërinë e të gjitha provave dhe procesverbaleve të sekuestrimit të materialeve dhe kompjuterëve në studion “Pustina”, si dhe pavlefshmërinë e disa akt-ekspertimeve të kryera nga SPAK.
“Ky proces ka dy shtylla, një shtyllë është e karakterit politik duke qenë se kallëzimi është bërë nga një subjekt politik dhe është kallëzuar po një subjekt politik. Duke qenë se unë përfaqësoj “Homëplan”, kërkoj pavlefshmëri të akteve. Të gjitha provat kërkoj të konsiderohen të pavlefshme, si dhe procesvorbalet për sekuestrimin e materialeve dhe kompjuterit në studio Pustina. Kërkoj pavlefshmëri për disa nga akt ekspertimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme.'' është shprehur Hazizaj.
Ndërsa avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari, kërkoi pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve, duke theksuar se policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate, duke cenuar privatësinë.
Ajo iu referua një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se janë shkelur të drejtat në rastin e kontrolleve në zyrën “Pustina”.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Arben Kraja, kërkoi kohë për t’u shprehur mbi kërkesat paraprake të mbrojtjes, duke deklaruar se do të japë qëndrimin e tij në seancën e radhës./Versus.al







