AKTUALITET /

Prej ditësh në grevë urie, përkeqësohet gjendja e naftëtarëve të "Bankers Petroleum"

Shkruar nga Versus

Prej ditësh në grevë urie, përkeqësohet gjendja e

Prej më shumë se 7 ditësh, punonjësit e kompanisë së naftës “Bankers Petroleum” në Fier janë në grevë urie duke kërkuar që t’u përmbushen kërkesat e tyre për rritje page dhe kushte më të mira pune.

Gjendja shëndetësore e punonjësve që janë në grevë të përgjithshme, është e rënduar ndërkohë që tre prej tyre kanë marrë trajtim mjekësor me ineksione, ndërsa një punonjës u dërgua në spital pasditen e djeshme pasi humbi ndjenjat dhe pësoi frakturë në njërin krah.

“Jemi shumë të lodhur, me dhimbje koke, nuk kemi ça të themi. Gjatë natës kemi pasur probleme si tension apo temperaturë, por nuk kemi kërkuar ndihmën e mjekëve”, tha njëri nga grevistët.

Nga ana tjetër, puset në fushën naftëmbajtëse mbahen nën kontroll nga nënkontraktorët e kompanisë. Grevistët shprehen të vendosur për t’I shkuar deri në fund aktit të tyre në kërkesë për rrogë më të mirë e kushte pune më dinjitoze për naftëtarët.

Kërkesat legjitime të tyre deri më tani kanë rënë në “vesh të shurdhër” pasi nuk ka patur reagim nga kompania apo organet shtetërore. Kujtojmë se drejtuesi aktual i kompanisë, shtetasi kinez Hongping Xiao është arrestuar pasi akuzohet se ka kryer evazion fiskal me dëm miliona euro për shtetin shqiptar. Ndërkohë që naftëtarët shqiptarë punojnë në kushte tepër të vështira për të nxjerrë “arin e zi” nga toka shqiptare, paratë përfundojnë jashtë Shqipërisë, në xhepat e shtetasve të huaj që vijnë e bëjnë “kërdinë” në vendin tonë. Versus.al

Poll