
Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të hetojë dosjen e skandalit të “Bankers Petroleum”, kompanië së nxjerrjes së naftës që akuzohet se i ka shkaktuar shtetit shqiptar miliona euro dëm me shmangien e detyrimeve financiare për 20 vite.
Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencë për shkak se rezultoi se të përfshirë në këtë dosje janë edhe zyrtarë të lartë. Më 2 korrik të këtij viti u zhvillua një aksion kundër kësaj kompanie me ekzekutimin e 10 masave të sigurisë dhe shpalljen në kërkim të 4 shtetasve kinezë.
Në total ndaj të arrestuarve mes të cilëve CEO kinez, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, rëndojnë disa akuza penale për skemën e mashtrimit të ngritur për fshehjen e të ardhurave duke deklaruar humbje për 20 vite rresht. Në këtë mënyrë “Bankers” shmangte detyrimet tatimore ndaj shtetit shqiptar dhe madje përfitonte nga rimbursimi i TVSH. Pavarësisht se pretendonte se kishte dalë me humbje, në 20 vite kompania eksportoi dhe shiti 532 miliardë lekë naftë të nxjerrë nga Patos Marinë. Versus.al







