AKTUALITET /

Protesta e 53-të, banorja e Rrjollit : Pronat tona nuk do t’i gëzojnë oligarkët, çështja në Gjykatën e Lartë

Aktivistja akuzoi se pas këtyre pronave ka interesa të personave me pushtet dhe bizneseve të mëdha, duke u shprehur se ato nuk do të përfitojnë nga këto toka.

Shkruar nga Versus

Protesta e 53-të, banorja e Rrjollit : Pronat tona nuk do t’i

Aktivistja Luçiana Kokaj ka ngritur sërish çështjen e pronave të Rrjollit gjatë protestës së 53-të para Kryeministrisë, duke deklaruar se beteja ligjore për këto prona vijon në Gjykatën e Lartë.

Kokaj pretendoi se gjatë procesit të tjetërsimit të pronave janë kryer shkelje ligjore dhe falsifikime, ndërsa theksoi se banorët disponojnë dokumente pronësie të trashëguara prej dekadash.

Sipas saj, çështja ka kaluar të gjitha shkallët e drejtësisë dhe tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.

“Ne nuk kemi një dokument të vetëm, por kemi të gjitha dokumentet për t’iu kthyer pronat ish-pronarëve. Kemi vendime gjykate për pronat tona dhe çështja jonë është në Gjykatën e Lartë”, deklaroi Kokaj.

Aktivistja akuzoi se pas këtyre pronave ka interesa të personave me pushtet dhe bizneseve të mëdha, duke u shprehur se ato nuk do të përfitojnë nga këto toka.

Gjatë fjalës së saj në protestë, Kokaj iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që ai të takohet drejtpërdrejt me banorët e zonës.

“Bëhu burrë dhe hajde tako malësorët, jo njerëzit e administratës. Historinë nuk e ndryshoni me hipoteka dhe dokumente të falsifikuara”, tha ajo.

Kokaj deklaroi se banorët do të vijojnë përpjekjet e tyre ligjore dhe publike, duke theksuar se sipas saj, “tokën e Rrjollit nuk do ta gëzojnë oligarkët”./Versus.al

Poll