Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar sot në Tiranë, duke publikuar dy fotografi dhe duke vënë në shënjestër një prej protestueseve që bëri thirrje për mobilizimin e diasporës.
Në postimin e tij, Rama publikoi një foto të një ndërtese që sipas tij përbën një shtesë pa leje brenda mureve të Kalasë së Durrësit dhe një tjetër të protestueses që deklaroi se diaspora këtë vit do të vijë në Shqipëri për protestë dhe jo për pushime.
Sipas kryeministrit, protestuesja është e njëjta person që ka ndërtuar objektin në fjalë dhe që kundërshton procesin e shpronësimit të parashikuar në kuadër të projektit për rigjallërimin e zonës historike të Durrësit.
Rama e cilësoi rastin si shembull të asaj që ai e quan manipulim në rrjetet sociale, ku persona me interesa private paraqiten si mbrojtës të interesit publik dhe të trashëgimisë kulturore.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë e akuzoi protestuesen për shkelje të ligjit dhe e lidhi atë me aktivitet politik në radhët e Partisë Demokratike, ndërsa theksoi se objekti në fjalë do të jetë pjesë e procesit të pastrimit urban dhe restaurimit të zonës historike të Durrësit.
Postimi i plotë i Ramës:
DY FOTOGRAFI DHE DY FYTYRAT E NJË SIMBOLI TË THIRRJES PËR DIASPORËN NË PROTESTË
Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për Rilindjen e Zonës Historike, sipas projektit të miratuar.
Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”. Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak
Pikërisht kështu funksionon algoritmi i manipulimit në rrjetet sociale:
Një shkelëse e ligjit, qëndrestare kundër pastrimit të trashëgimisë kulturore nga çibanët e ndërtuar pa leje vishet me flamurin e interesit publik, ve kujën për atdheun në rrezik dhe kthehet në heroinë
Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën
*Çibani ka një hipotekë nga koha e dy gishtave


