AKTUALITET /

Samiti i BE në Tivat/ Vuçiç merr nga Beogradi 90 roje private, Mali i Zi i deportoi pas kontrollit të avionit: Janë me precedentë kriminalë

Burime policore kanë bërë të ditur se kontrolli i avionit u zhvillua në kuadër të masave të shtuara të sigurisë për Samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat

Shkruar nga Versus

Samiti i BE në Tivat/ Vuçiç merr nga Beogradi 90 roje

Autoritetet malazeze kanë ndaluar hyrjen në vend të 90 shtetasve serbë, të cilët mbërritën mëngjesin e së mërkurës në Aeroportin e Tivatit me një fluturim nga Beogradi. Sipas mediave rajonale, grupi do të kthehet në Serbi me fluturimin e parë të disponueshëm.

Sipas raportimeve të Nova.rs dhe Vijesti, personat e ndaluar nuk kanë dhënë shpjegime të qarta për qëllimin e vizitës së tyre në Mal të Zi gjatë kontrolleve të kryera nga policia kufitare.

Burime policore kanë bërë të ditur se kontrolli i avionit u zhvillua në kuadër të masave të shtuara të sigurisë për Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat në datën 5 qershor. Sipas të njëjtave burime, ekzistonin dyshime për aktivitete hibride, ndërsa një pjesë e personave të mbërritur rezultojnë me precedentë kriminalë.

Mediat malazeze raportojnë se grupi dyshohet të ishte angazhuar për të siguruar në mënyrë jozyrtare qëndrimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë pjesëmarrjes së tij në samit.

Në një reagim zyrtar, Drejtoria e Policisë së Malit të Zi bëri të ditur se po zbaton masa të gjera dhe të intensifikuara sigurie për mbarëvajtjen e samitit. Në këtë kuadër, fluturimi çarter në linjën Beograd-Tivat u vendos nën kontroll të detajuar menjëherë pas uljes në aeroport.

“Po kryhen kontrolle dhe verifikime të plota për bazën e mbërritjes dhe qëndrimit të këtyre personave në Mal të Zi. Do të ndërmerren të gjitha masat ligjore të nevojshme, përfshirë edhe masa kufizuese, nëse ekzistojnë bazat përkatëse”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet malazeze theksuan se kontrollet e shtuara janë pjesë e planit të sigurisë të hartuar për zhvillimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një nga ngjarjet më të rëndësishme politike që po mbahet aktualisht në vend. Versus.al

Poll