AKTUALITET /

Seanca të shtyra prej muajsh, sot pritet të vendoset nëse dosja “Partizani” do kalojë për gjykim

Shkruar nga Versus
Seanca të shtyra prej muajsh, sot pritet të vendoset nëse dosja
Foto: Sali Berisha duke dalë nga SPAK

Sot në orën 09:30 do të mbahet seanca praprake për dosjen ‘Partizani’ në GJKKO pas disa muajsh shtyrjesh të vazhdueshme. Seanca e fundit u shty për shkak se njëri prej avokatëve të të pandehurve ishte në një tjetër gjyq.

Në seancën e sotme pritet të vendoset nëse ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë do të kalojnë për gjykim. Dy mundësitë e tjera janë që çështja të pushohet ose të kthehet mbrapsht për plotësim hetimesh.

Avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë mbërritur në GJKKO. Ata kërkojnë pushim të çështjes me pretendimin se nuk ka vepër penale. 

Hetimet nga SPAK u mbyllën në shtator të vitit të kaluar, ndërsa prej tetorit, seancat janë shtyrë në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet justifikimeve të ndryshme. Në dy herët e fundit avokatët, një herë i Malltezit e më tej i të pandehurit Xhimi Begeja paraqitën raporte mjekësore si të sëmurë.

Ditën e djeshme Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e bërë nga Sali Berisha për përjashtimin e trupës gjykuese nga shqyrtimi i rekursit të bërë prej tij sa i takon masës “detyrim paraqitje” për këtë aferë. Prej nëntorit, Berisha u lirua nga arresti shtëpiak dhe tashmë duhet të respektojë vetëm masën “detyrim paraqitje” në GJKKO.

Të pandehurit për dosjen ‘Partizani':

Sali Berisha, ish kryeministër akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit,  akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal

Fatmir Bektashi, Ndërtuesi, akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'

Xhimi Begeja, ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'

Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k -  Akuzohet për 'Pastrim Parash'. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: