
Një shtetas shqiptar, i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për kultivim të kanabisit në ambiente të mbyllura me llamba, është rikthyer në qendër të vëmendjes në Shqipëri – këtë herë për pasuritë e grumbulluara nga aktiviteti kriminal. Operacioni i koduar “Source”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka çuar në sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 500 mijë euro në pronësi të shtetasit B. Ll. dhe familjarëve të tij.
Në Kamzë, janë vënë në sekuestro:
1 objekt banimi (shtëpi që dyshohet se “ka lëshuar rrënjë” mbi para të pista),
2 automjete – një Jeep dhe një Opel Corsa (krimi, mesa duket, i do të gjitha shijet),
1 aktivitet tregtar me objekt shitjen dhe riparimin e makinave (praktikisht, një lavatriçe me goma për pastrimin e parasë).
Prokuroria dyshon se të gjitha këto pasuri janë produkte të drejtpërdrejta të trafikut të drogës, të kryer në Mbretërinë e Bashkuar, dhe se janë sjellë në Shqipëri si kapital i bardhë me origjinë të errët.
Operacioni “Source” nuk ka përfunduar ende, pasi vijojnë hetimet për të zbuluar dhe sekuestruar pasuri të tjera, që mendohet të jenë produkt i po të njëjtës veprimtari kriminale. Siç duket, nga Anglia me dashuri… por me llamba dhe fatura të fryra. Versus.al







