
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për vëllezërit Kristi, Fation dhe Aleksandër Bushgjokaj, si dhe për Petrit Hoxhën, i njohur ndryshe me nofkën “Çakri”.
Në nisje të seancës, të pandehurit kanë kërkuar ndjesë ndaj gjykatës dhe prokurorisë për incidentin e ndodhur gjatë seancës së mëparshme, ku u regjistruan përplasje fizike dhe tensione në sallën e gjyqit. Sipas informacioneve, vëllezërit Bushgjokaj dhunuan Petrit Hoxhën, duke shkaktuar trazira dhe alarm tek autoritetet e sigurisë.
Megjithatë, ata kanë vijuar të mbrojnë qëndrimin e tyre, duke pretenduar se janë provokuar nga Hoxha dhe se ai ka bërë shpifje në adresë të tyre.
Katër të dyshuarit akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e të riut Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik 2025 në zonën e Matit.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë nën drejtimin e SPAK, ndërsa të arrestuarit do të mbeten në paraburgim pas vendimit të fundit të GJKKO-së.Versus.al

