Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja për arrestimin e 27-vjeçarit që grabiti me dhunë një taksist, me të cilin po udhëtonte drejt Elbasanit.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa ishte fshehur në territorin e fshatit Qeha. Gjatë hetimeve, policia ka zbuluar se ai dyshohet të jetë autor edhe i pesë vjedhjeve të tjera me armë dhe dhunë, të kryera gjatë muajit qershor në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më 5 qershor 2026, në tregun e Fushë-Krujës, 27-vjeçari dyshohet se vodhi një shumë eurosh nga portofoli i një qytetari.
Pesë ditë më vonë, më 10 qershor, ai dyshohet se ka grabitur një biznes në rrugën “Llazi Miho” në Tiranë, duke kërcënuar me mjet prerës dhe duke marrë një shumë parash si dhe një varëse floriri.
Ndërsa më 12 qershor, në rrugën “Skënder Kosturi” në Tiranë, ai dyshohet se ka kërcënuar me një send të ngjashëm me armë zjarri pronarin e një subjekti, të cilit i ka vjedhur varësen e floririt dhe më pas e ka goditur me grusht.
Sipas policisë, më 15 qershor, në fshatin Derven të Fushë-Krujës, 27-vjeçari dyshohet se i ka marrë një drejtuesi taksie një shumë parash, dy telefona celularë dhe një orë dore, pasi e kishte kërcënuar me mjet prerës.
Po ashtu, më 17 qershor, në fshatin Shënavlash të Durrësit, ai dyshohet se grabiti me dhunë një tjetër taksist, duke i marrë portofolin me para dhe telefonin celular.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar si prova materiale varësja e floririt e vjedhur dhe një telefon celular.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të 27-vjeçarit dhe për të verifikuar përfshirjen e tij në ngjarje të tjera të ngjashme.Versus.al

