
Një shtetas shqiptar, 42 vjeç, doli përpara Gjykatës së Lartë Rajonale të Hamburgut më 22 janar, i akuzuar për vjedhje të organizuar në banesë, pas grabitjes së sendeve luksoze me vlerë mbi 500 mijë euro nga apartamenti i moderatores së njohur Sylvie Meis.
Ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 2023, në lagjen elitare Eppendorf të Hamburgut, në kohën kur Meis ndodhej me pushime në Ibiza. Sipas prokurorisë, shqiptari me inicialet M.U., së bashku me një bashkëpunëtor ende në arrati, kanë hyrë në apartament përmes një ndërtese fqinje të mbuluar me skela.
Autorët kanë depërtuar në dhomën e garderobës, ku kanë grabitur 29 çanta luksoze – 22 të markës Hermès, 4 Chanel, si dhe nga një Bulgari, Céline dhe Yves Saint Laurent – si edhe bizhuteri, me një vlerë totale prej rreth 530 mijë eurosh. Sendet e vjedhura nuk janë gjetur ende, ndonëse dëmi financiar është mbuluar nga siguracioni.
Në seancën e parë gjyqësore, i pandehuri ka dhënë një rrëfim të plotë, ndërsa provat kundër tij konsiderohen të forta. Sipas gjykatës, në vendngjarje janë gjetur gjurmë ADN-je që i përkasin shqiptarit, konkretisht në dritaren e çatisë nga ku është kryer hyrja.
Avokatët mbrojtës kanë kërkuar dënim më të butë, duke argumentuar se vlera e çantave luksoze ka rënë vitet e fundit dhe se i pandehuri nuk ka precedentë penalë në Gjermani. Megjithatë, prokuroria ka theksuar se ai ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit dhe se dyshohet se ka ardhur në Gjermani enkas për këtë vjedhje, duke vepruar në mënyrë profesionale.
Prokuroria kërkon një dënim me 4 vite burg, ndërsa gjykata ka bërë të ditur se, falë rrëfimit, dënimi mund të ulet në rreth 3 vite e 9 muaj deri në 4 vite e 3 muaj burg. Pa rrëfim, dënimi maksimal mund të arrinte deri në 5.5 vite heqje lirie.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa bashkëpunëtori i dytë mbetet ende në kërkim nga autoritetet./Përshtati në shqip Versus.al

