Forca e duarve të nënës dhe të bërtiturat e njerëzve poshtë ballkonit të apartamentit në katin e 6-të të pallatit ku jetonte 16 vjeçari A.G në Shkodër, kanë shpëtuar paraditen e së hënës të miturin nga ajo që duket si një tentativë vetëvrasje.
NGJARJA NË SHKODËR
“Versus.al” ka mësuar se 16 vjeçari prej disa kohësh merrte mjekim për probleme të lidhura me shëndetin mendor dhe se së fundmi ai kishte disa muaj pa mjekim, pasi gjendja e tij dukej e stabilizuar. Por kur gjithçka dukej mirë, një 'rrufe në qiell të hapur' ra paraditen e së hënës në familjen e A.G.
Fatmirësisht në shtëpi ka qenë nëna e 16-vjeçarit, e cila kur ka kuptuar qëllimin e të birit ka rendur pas tij duke bërtitur me sa kishte në kokë e duke tërhequr kësisoj dhe vëmendjen e kalimtarëve të rastit, të cilët nga ana e tyre kanë njoftuar urgjent policinë e Shkodrës, e cila bëri të mundur zbritjen e 16 vjeçarit nga ballkoni dhe dërgimin e tij për ndihmë të specializuar mjekësore.
“Versus.al” ka mësuar se i mituri vuan nga një formë epilepsie, e cila pas krizave ndodh që i lë si pasojë dhe gjendje haluçinative. Familjarët, mësohet të kenë deklaruar për grupin hetimor, se gjatë ditëve të fundit, djali i tyre ka qenë pak i shqetësuar në lidhje me gjendjen e tij të përgjithshme shëndetësore, por nuk ka patur episode të forta epilepsie që mund të kenë shkaktuar dhe haluçinacione. Pas ndihmës së parë të dhënë në Spitalin Psikiatrik të qytetit të Shkodrës, 16 vjeçari mësohet se është dërguar drejt Tiranës, ku do të bëhet një vlerësim i gjendjes së tij. Ekspertët e psikiatrisë pritet që t’i përgjigjen dilemës së grupit hetimor nëse akti i 16 vjeçarit ka qenë tentativë e mirëfilltë vetëvrasje apo një përpjekje e guximshme për të tërhequr vëmendjen.
NGA KORCA NË KUKËS PËR ...TU VETËVRARË
E nëse A. G ka qenë fatlumi, që pati nënën pranë dhe e shpëtoi nga fundi tragjik, Elda Arapi, 30 vjeçarja nga Maliqi nuk pati kush t’ja “ndalte vrapin” drejt vdekjes. Rreth 2 javë më parë ajo udhëtoi nga Juglindja drejt skajit tjetër të vendit verilindjes, e më konkretisht Kukësit për t’i dhënë fund jetës. Duket sikur nuk ka dashur t’i gjendet nami e as nishani 30 vjeçares që ka rendur në rrethana të panjohura aq larg shtëpisë, ku e priste “në sofër vdekja”.
“Versus.al” ka mësuar se trupi pa jetë i 30 vjeçares, nënë e një fëmijë, u gjet rastësisht nga një punonjës i policisë lokale, i cili kishte shkuar në bregun e Liqenit të Fierzës, në vendin e quajtur Shtrazë për të marrë ujë për tokën, por është tromaksur kur mbi liqen ka parë të fluskojë trupi pa jetë i gruas së re. Punonjësi i policisë ka njoftuar kolegët, të cilët pas marrjes së trupit pa jetë dhe kryerjes së autopsisë konstatuan se ngjarja ishte vetëvrasje dhe nuk ishte një ngjarje kriminale.
Elda Arapi dhe 16-vjeçari A.G., janë disa prej mijëra shqiptarët që po përballën me probleme emocionale dhe probleme të shëndetit mendor.
ALARMI PËR SHËNDETIN MENDOR
“Versus.al” ka mësuar se që prej vitit 2020 zyrtarisht, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, janë gati 1000 vetëvrasje dhe tentativa vetëvrasjes së rregjistruara në vend.

Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Policia e Shtetit, që nga vitit 2020 e deri në maj të këtij vitit, janë rregjistruar në vend 521 vetëvrasje, ndërkohë që po për të njëjtën periudhë kohore janë rregjistruar dhe rreth 440 tentativa vetëvrasjes. Viti më i mbrapshtë përsa i përket akteve ektreme mbi jetën të kryer nga vetë qytetarët ka qenë viti 2020, ku siç duket pandemia e izolimi, përkeqësuan shëndetin mendor të qytetarëve. Në vitin 2020, janë rregjistruar zyrtarisht 156 vetëvrasje dhe 129 tentativa vetëvrasjesh. Edhe një vit më vonë, kur akoma trauma e pandemisë nuk kishte kaluar siç duhet ka ende shifra të larta vetëvrasjesh dhe tentativash vetëvrasje, duke mbetur statistikat përkatësisht në shifrat 141 dhe 125. Situata duket e përmirësuar në dy ditet në vijim, (në 2022 dhe 2023) kur në vend janë rregjistruar në total për 2 vjet 189 vetëvrasje dhe 154 tentativa në total për dy vjet. Ndërkohë ky vit ka rregjistruar deri në maj 35 vetëvrasje dhe 30 tentativa. Mes vetëvrasjeve të këtij vitit, më tragjikja e më rënda ka qenë ajo e Alma Arazit në Shkodër, e cila i dha fund jetës së saj së bashku me atë të tre fëmijëve të saj.
STATISTIKAT E OBSH-së
Sipas një raporti të vitit të kaluar të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth 3.8% e popullsisë përjetojnë depresion, ose e thënë ndryshe përafërsisht 280 milionë njerëz në botë kanë depresion. Depresioni është rreth 50% më i zakonshëm tek femrat sesa tek meshkujt. Në mbarë botën, më shumë se 10% e grave shtatzëna dhe grave që sapo kanë lindur përjetojnë depresion. Po sipas OBSH-së, më shumë se 700 000 njerëz vdesin për shkak të vetëvrasjeve çdo vit. Vetëvrasja është shkaku i katërt kryesor i vdekjes tek 15-29-vjeçarët. VERSUS







