
Të hënën pritet të hidhet shorti për caktimin e tre gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit sportive “Partizani”.
Nga shorti përjashtohen vetëm gjyqtaret e posaçme Flojera Davidhi e cila kaloi dosjen për gjykim dhe Irena Gjoka për të cilën Berisha ka kërkuar vazhdimisht përjashtimin me argumentin se ka qenë e dënuar në shtetin grek për falsifikim dokumentesh.
Më 19 maj, GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim dosjen hetimore të aferës “Partizani” me 5 të pandehur mes të cilëve, ish-kryeministri Sali Berisha nën akuzë për korrupsion pasiv, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike. Versus.al







