
Ka nisur protesta e 11-të në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit, ku në një prej fjalimeve u hodh ideja e ngritjes së një Kuvendi Kombëtar të aktivistëve dhe grupeve qytetare nga e gjithë Shqipëria.
Aktivisti nga Vlora theksoi nevojën për bashkimin e të gjitha grupeve përfaqësuese në një forum të përbashkët, me synimin për të koordinuar veprimet dhe për të shmangur përçarjet brenda lëvizjes qytetare.
“Më bëhet zemra mal kur ju shoh kaq të shumtë dhe të bashkuar. Kemi pasur shumë debate edhe si aktivistë. Për të shpëtuar protestën duhet të kemi një forum, të mblidhen të gjithë grupet e aktivistëve. Nuk mund ta lejojmë protestën të na përçahet”, u shpreh ai.
Sipas aktivistit, një tryezë kombëtare ku të marrin pjesë të gjitha grupet qytetare do të ndihmonte në vendosjen e rregullave të komunikimit dhe koordinimit, duke forcuar kauzat e përbashkëta dhe duke shmangur fragmentarizimin e lëvizjes.
Ai propozoi që në këtë Kuvend Kombëtar të përfshihen të gjitha forcat që ai i cilësoi si “përparimtare”, ndërsa theksoi se partitë politike, qofshin ato të vjetra apo të reja, duhet të qëndrojnë jashtë këtij procesi.
“Le të thërrasim një kuvend kombëtar ku të gjitha forcat përparimtare shqiptare të bëhen bashkë e të vendosen disa rregulla komunikimi. Na duhet një tryezë kombëtare ku të diskutojmë së bashku”, deklaroi ai, mes duartrokitjeve dhe ovacioneve të protestuesve.

