AKTUALITET /

Komentet negative nga shqiptarët, ambasadorja e Izraelit: Ata që më ofendojnë, nuk respektojnë as nënat e tyre

Shkruar nga Versus

Komentet negative nga shqiptarët, ambasadorja e Izraelit: Ata që

Ambasadorja izraelite, Galit Peleg u është përgjigjur komenteve të qytetarëve shqiptarë në postimin e bërë prej saj ditën e djeshme ku kërkonte që të respektohej flamuri izraelit i vendosur në rrugët e Tiranës me rastin e Javës Kulturore të Izraelit.

Sa u takon komenteve kundërshtuese apo atyre që shprehnin mallkime, Peleg tha se persona që ofendonin atë, nuk respektojnë as nënat e tyre. Ndërsa shpjegoi disa koncepte, ajo tha se mallkimet nga ana e shqiptarëve i bëjnë dëm vetëm imazhit të Shqipërisë.

“Dje publikova një foto ku u bëra thirrje protestuesve në rrugët e Tiranës të respektojnë flamurin izraelit që ishte vendosur nga Bashkia me rastin e Javës Kulturore të Izraelit. Pati shumë komente, disa prej tyre mbështetëse, disa kundërshtuese dhe disa mallkuese.

Së pari, dua t’ju falënderoj që komentuat, sepse kontribuuat në rritjen e trafikut në rrjetet sociale. Atyre që mallkuan, nuk dua t’u përgjigjem, pasi nuk më respektojnë mua, vetveten dhe, sipas fjalorit që përdorin, nuk respektojnë as nënat e tyre. Por dua të them diçka në lidhje me komentet në rrjetet e mia sociale, pasi ka disa pika që duhen sqaruar.

Së pari, kur njerëzit thonë “nuk urrejmë hebrenjtë, por zionistët”, dua të sqaroj çfarë është zionizmi. Të jesh zionist do të thotë të besosh se hebrenjtë kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre dhe që Izraeli ka të drejtë të ekzistojë. Kjo nuk tregon përkrahje për këtë apo atë qeveri apo politikë. Së dyti, kur njerëzit thonë se refuzojnë projektin e Jared Kushner dhe për këtë arsye urrejnë hebrenjtë, izraelitët apo zionistët, kjo është antisemitizëm.

A mund ta imagjinoni nëse unë nuk pëlqej një person të krishterë dhe them se urrej të gjithë të krishterët? Ose nëse nuk pëlqej një person mysliman dhe them se urrej të gjithë myslimanët? Kjo do të ishte racizëm. Po kështu, të përgjithësosh një qëndrim ndaj një personi dhe ta shtrish tek një popull i tërë është antisemitizëm.

Së fundi, kur njerëzit shprehen në mënyrë raciste apo anti-semite, nuk dëmtojnë Izraelin apo hebrenjtë, por dëmtojnë Shqipërinë, pasi Shqipëria njihet për njerëzit e saj bujarë, mikpritës dhe të sjellshëm. Këto janë vlerat e saj. Kur silleni kështu, duke mallkuar e sulmuar, po dëmtoni emrin e Shqipërisë.

Lidhur me komentet për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe Gazës, Izraelit dhe Libanit, Izraelit dhe Iranit, do të isha shumë e lumtur t’u përgjigjesha pyetjeve tuaja dhe ju premtoj se nëse pyesni në mënyrë të respektueshme, do t’ju përgjigjem. Kush dëshiron të shkruajë pyetje në komente, do t’ju përgjigjem të gjithëve”, u shpreh ajo. Versus.al

Poll