
Një studim i ri shkencor ngre një skenar që deri pak kohë më parë dukej i pamundur: njeriu mund të jetë biologjikisht në gjendje të jetojë deri në 194 vjet, nëse do të ishte e mundur të eliminoheshin pothuajse të gjithë mekanizmat e tjerë të plakjes dhe sëmundjeve.
Studiuesit e bazojnë këtë përfundim në një model matematikor që analizon grumbullimin e mutacioneve somatike – ndryshime që krijohen në ADN-në e qelizave gjatë gjithë jetës. Këto mutacione shtohen gradualisht me kalimin e viteve, dëmtojnë funksionimin e qelizave dhe rrisin rrezikun për sëmundje, duke luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e plakjes.
Sipas modelit, nëse plakja do të varej vetëm nga ky mekanizëm, kufiri maksimal teorik i jetës njerëzore do të arrinte rreth 190–194 vjet. Megjithatë, autorët theksojnë se ky nuk është një parashikim se njerëzit do të jetojnë realisht kaq gjatë, pasi organizmi ndikohet nga shumë procese të tjera biologjike që përshpejtojnë plakjen.
Ekspertët që nuk kanë marrë pjesë në studim e cilësojnë kërkimin interesant, por nënvizojnë se ai mbështetet në simulime matematikore dhe jo në prova klinike. Sipas tyre, rezultatet duhen interpretuar me kujdes, pasi nuk pasqyrojnë kompleksitetin e plotë të trupit të njeriut.
Pavarësisht kufirit teorik prej 194 vitesh, shkencëtarët kujtojnë se mënyra më e mirë për të zgjatur vitet e jetës me shëndet mbetet ajo e njohura: mos pirja e duhanit, aktiviteti fizik i rregullt, ushqimi i shëndetshëm, gjumi cilësor, menaxhimi i stresit dhe ruajtja e marrëdhënieve të forta shoqërore. Këto zakone mund të shtojnë vite të shëndetshme në jetë, edhe pse janë ende shumë larg arritjes së kufirit teorik të parashikuar nga modeli./Versus.al

