EKONOMI & MJEDIS /

Azia e Jugut dhe Amerika në rritje, të dhënat e INSTAT: Ja si po ndryshon harta e turistëve të huaj në Shqipëri

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, gjatë gjysmës së parë të vitit kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 5 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 6.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Shkruar nga Versus

Azia e Jugut dhe Amerika në rritje, të dhënat e INSTAT: Ja si po

Flukset turistike në Shqipëri vijojnë të rriten gjatë vitit 2026, duke konfirmuar interesin në rritje të vizitorëve të huaj për vendin.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, gjatë gjysmës së parë të vitit kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 5 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 6.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Vetëm gjatë muajit qershor 2026, në territorin shqiptar kanë hyrë mbi 2.08 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, me një rritje prej 0.9% krahasuar me qershorin e një viti më parë.

Sipas raportit të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në qershor arritën në 1,346,279 persona, ndërsa daljet ishin 1,285,538 persona. Pjesa më e madhe e vizitorëve vijon të jetë nga kontinenti evropian, me Evropën Jugore që mban peshën kryesore me 66% të hyrjeve.

Të dhënat sipas kontinenteve tregojnë se Evropa mbetet tregu kryesor i turizmit shqiptar, me 4,765,657 hyrje në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, nga rreth 4.52 milionë hyrje në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndërkohë, rritje është regjistruar edhe nga tregjet jashtë Evropës. Hyrjet nga Amerika janë rritur në 157,266 persona gjatë janar–qershorit 2026, nga 129,953 një vit më parë.

Rritjen më të lartë relative e ka shënuar Azia e Jugut, ku numri i vizitorëve është pothuajse dyfishuar, duke arritur në 39,784 hyrje, nga 22,555 në vitin 2025.

Sipas INSTAT, 98% e shtetasve të huaj hyjnë në Shqipëri për qëllime personale, si pushime, vizita familjare apo tranzit. Kjo kategori ka shënuar rritje prej 1.6% gjatë muajit qershor, ndërsa hyrjet për arsye biznesi dhe profesionale kanë shënuar rënie prej 17.7%.

Instituti i Statistikave sqaron se përpunimi i të dhënave bazohet në burimet administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, ndërsa diferencat mes hyrjeve dhe daljeve lidhen me procedurat e kontrollit kufitar gjatë periudhës së fluksit turistik, si dhe me regjimin e posaçëm për banorët e zonave ndërkufitare dhe personat me dy shtetësi.

Të dhënat e reja konfirmojnë se Shqipëria vijon të forcojë pozicionin si një nga destinacionet kryesore turistike në rajon, me rritje të ndjeshme si nga tregjet tradicionale evropiane, ashtu edhe nga destinacione më të largëta./Versus.al

Poll