EKONOMI & MJEDIS /

Euro vijon rënien ndaj lekut, Banka e Shqipërisë blen 95.5 milionë euro në treg

Sipas Bankës së Shqipërisë, qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është forcimi i rezervës valutore dhe zbutja e luhatjeve të kursit të këmbimit

Shkruar nga Versus

Euro vijon rënien ndaj lekut, Banka e Shqipërisë blen 95.5

Banka e Shqipërisë ka shtuar ndërhyrjet në tregun valutor, në përpjekje për të menaxhuar forcimin e lekut dhe dobësimin e vazhdueshëm të euros.

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, banka qendrore ka blerë 95.5 milionë euro përmes ndërhyrjeve në tregun e brendshëm, një shifër gati tre herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u blenë 33.2 milionë euro.

Nëse llogariten edhe ankandet e programuara, blerjet totale të euros arrijnë në 139.6 milionë euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është forcimi i rezervës valutore dhe zbutja e luhatjeve të kursit të këmbimit. Megjithatë, pavarësisht blerjeve të shtuara, euro vijon të dobësohet përballë lekut dhe ka zbritur në nivele rekord të ulëta.

Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të blejë nga tregu mes 330 dhe 450 milionë euro, një objektiv më i lartë se ai i vitit të kaluar.

Ndërkohë, rezerva valutore e vendit ka arritur nivelin rekord prej 7.669 miliardë eurosh, duke u rritur me rreth 889 milionë euro krahasuar me një vit më parë.

Dobësimi i euros ka sjellë efekte të ndryshme në ekonomi. Nga njëra anë, Ministria e Financave vlerëson se forcimi i lekut ka ulur peshën e borxhit të jashtëm, ndërsa nga ana tjetër administrata doganore ka raportuar ndikim negativ në të ardhurat buxhetore, me rreth 100 milionë euro më pak.

Ekspertët parashikojnë se gjatë sezonit turistik presioni mbi euron mund të vijojë për shkak të hyrjeve të larta të valutës nga turistët, remitancat dhe investimet.

Aktualisht, 1 euro këmbehet me rreth 93 lekë, ndërsa Banka e Shqipërisë vijon monitorimin dhe ndërhyrjet në tregun valutor./Versus.al

Poll