
Një operacion policor i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Ksamilit është shoqëruar me tensione, pasi një person i shpallur në kërkim ka kundërshtuar forcat e rendit dhe ka tentuar t’u largohet.
Ngjarja është regjistruar në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku efektivët e Komisariatit të Sarandës po kryenin veprime për kapjen e një personi të kërkuar.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë tentativës për arrestim, i dyshuari ka përplasur automjetin e policisë me mjetin që drejtonte dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas incidentit, në zonë u angazhuan forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga FNSH, të cilat nisën kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Pas disa orësh operacion, në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia arriti të vërë në pranga personin e kërkuar. Burime paraprake bëjnë me dije se ai është nga Elbasani, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe rezulton i kërkuar nga SPAK për përfshirje të dyshuar në ngjarje të rënda kriminale.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje mbi identitetin e tij dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij./Versus.al

