
"Revolucioni Flamingo" kundër qeverisë ka marrë një zhvillim të ri mbrëmjen e kaluar, pasi qindra qytetarë vendosën të qëndrojnë gjatë gjithë natës përpara godinës së Kryeministrisë.
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit e kaluan natën në bulevard, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat e tyre.
Gjatë gjithë mbrëmjes dhe orëve të para të mëngjesit u dëgjuan slogane kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Policia e Shteti u ka bërë thirrje atyre të respektojnë ligjin, duke i paralajmëruar për paligjshmërinë e bllokimit të Bulevardit.
Në ndryshim nga ditët e mëparshme, pas mbërritjes para Kryeministrisë, protestuesit nuk vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, por vendosën të qëndrojnë në shesh, duke e kthyer tubimin në një protestë të pandërprerë.
Një rol të rëndësishëm në mobilizim pati edhe diaspora shqiptare.
Qytetarë të ardhur nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Greqia dhe vende të tjera iu bashkuan protestës, duke u rreshtuar krah protestuesve që prej javësh marrin pjesë në tubime.
Pjesëmarrësit deklaruan se synimi i tyre është vijimi i protestës deri në realizimin e kërkesave që kanë ngritur, ndërsa theksuan se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre edhe në ditët në vijim.
Gjatë gjithë natës, situata u monitorua nga forcat e policisë dhe nuk u raportuan incidente serioze./Versus.al


