
Rreth 15 efektivë policie dhe 4 protestues janë shtruar në qendrën spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë dhe në Spitalin e Traumës, pas tensioneve që ndodhën paradite para Parlamentit.
Sipas të dhënave zyrtare, në Urgjencën e Spitalit të Traumës u trajtuan 14 efektivë policie dhe 2 protestues.
Katër prej efektivëve vijojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër e policëve dhe dy protestuesit janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme.
Ndërkohë, në QSUT u paraqitën për trajtim edhe një efektiv policie dhe dy protestues të tjerë. Të tre kanë lënë ambientet e spitalit pas marrjes së shërbimit mjekësor.
Në total, 19 persona morën trajtim mjekësor pas protestës, prej të cilëve 15 janë efektivë policie dhe 4 protestues.
Aktualisht, vetëm katër efektivë policie vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa të gjithë të lënduarit e tjerë janë larguar nga spitalet.Versus.al

