
Rreth orës 19:15 të kësaj të premteje (6 shkurt 2026), në sheshin “Prek Cali” të qytetit të Shkodrës, dyshohet se i njëjti shtetas që vetëm 15 minuta më parë kishte tentuar grabitje në filialin e Postës Shqiptare në lagjen “Vasil Shanto”, ka kryer një tentativë të dytë grabitjeje.
Sipas informacioneve shtesë nga Policia, autori ka hyrë në një subjekt tregtar (market) në zonën e sheshit “Prek Cali” dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë parash.
Gjatë përpjekjes, ai është konfliktuar fizikisht me punonjësin e marketit dhe është larguar pa arritur të marrë paratë.
Shërbimet e Policisë së Shkodrës vijojnë kontrollet intensive në terren në të dyja zonat, ndërsa grupet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës po kryejnë veprime të njëkohshme për të dy rastet. Hetimet po përqendrohen në identifikimin e shpejtë të autorit përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, dëshmive të dëshmitarëve dhe gjurmëve të lëna në vendngjarje./Versus.al


