
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për dosjen e dytë penale në ngarkim të Jorgo Goros, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës.
Sipas vendimit të gjykatës, Goro është dënuar me 2 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë një dënim të reduktuar prej 1 vit e 4 muaj burg. Përveç dënimit me heqje lirie, atij i është ndaluar e drejta për të mbajtur funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh, duke e përjashtuar nga çdo angazhim në administratën shtetërore apo poste zgjedhore gjatë kësaj kohe.
Po në të njëjtën çështje, është dënuar edhe Vasillaq Strakosha, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim. Edhe në rastin e tij, gjykimi i shkurtuar uli kohën e vuajtjes së dënimit në 1 vit burg, ndërkohë që dënimi është pezulluar dhe do të zbatohet në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Ashtu si Goro, edhe Strakoshës i është ndaluar mbajtja e funksioneve publike për 5 vjet.
Vendimi i GJKKO-së vjen në kuadër të hetimeve për shpërdorim detyre dhe abuzime me pronat në zonën e Himarës, një çështje që ka ngjallur interes të gjerë publik dhe reagime politike./Versus.al







