Shumë prej rasteve me vdekje në kryeqytet, mund të mos kishin rezultuar të tilla nëse ambulanca do të arrinte në kohë, ose do të mund ta transportonte pacientin në spital sa më shpejt.
Në të shumtën e rasteve ngecja e ambulancës në trafik duke u vonuar të mbërrijë në spital apo në vendngjarje, ka sjellë shumë jetë të humbura, më e fundit ajo e 14 vjeçarit M.C i cili u plagos rëndë me thikë nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli”, por ndërroi jetë në spital.
I mituri u transportua nga një makinë private e qytetarëve të pranishme për shkak se ambulanca e kishte të pamundur mbërritjen në kohë si pasojë e trafikut të rënduar në kryeqytet.
Nëse ambulanca do të kishte arritur në kohë dhe t’i kishte dhënë të miturit ndihmën e parë ndërkohë që transportohej në spital, mbase mund të ishte shmangur tragjedia që tronditi gjithë vendin.
Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë
Një tjetër rast i rëndë i ngecjes së ambulancës në trafik apo mungesës së mjeteve të duhura të saj për t’u ardhur në ndihmë personave në nevojë, u denoncua edhe në korrik të këtij viti kur ndërroi jetë kolosi i letërsisë shqipe Ismail Kadare.
Botuesi i tj Bujar Hudhri deklaroi se ambulance nuk kishte as mjetet e nevojshme për ta mbajtur në jetë Kadarenë, ndërsa tha se gjatë rrugës për në spital kishte ngecur në trafikun e rënduar të Tiranës, duke e bërë edhe kolosin e madh të letrave shqipe një prej “viktimave” të vonesës së ambulancës për të mbërritur në spital.
Mungesa e korsive të emergjencave
Në kryeqytet kur trafiku është në kulmin e rëndesës së tij, nuk ekziston mundësia e qarkullimit të ambulancave në korsi të dedikuara për to. Në asnjë prej akseve që lidhet me spitalet, nuk ka një korsi emergjence të dedikuar vetëm për ambulancat, duke e bërë kështu jetën e qytetarëve “të varur” nga dendësia e trafikut në kryeqytet. E vetmja korsi emergjence në kryeqytet është ajo në zonën e Laprakës që shpesh bllokohet nga drejtuesit e papërgjegjshëm të autoveturave për shkak se nuk ka efektivë policie të rrugores që t’i ndëshkojnë në raste të tilla.
Lidhur me këtë problem, Versus.al kontaktoi edhe kreun e Urgjencës Kombëtare Skënder Bratajn për ta pyetur nëse nga ana e institucionit që drejton ka pasur referime për shqetësimin e trafikut të rënduar në kryeqytet, por deri tani nuk kemi pasur asnjë përgjigjie. Versus.al








