
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Gjonomadh të Korçës, ku është gjetur pa shenja jete një i ri që kishte humbur kontaktet me familjarët prej gjashtë ditësh.
Viktima është identifikuar si Hysen Lato, 20 vjeç, i cili është gjetur i vetëvarur pranë përroit të fshatit nga banorë të zonës.
Sipas informacioneve, i riu ishte larguar nga banesa rreth orës 15:00 pasdite, pa marrë me vete telefonin apo para.
Familja kishte bërë denoncim në polici dhe ishte angazhuar edhe përmes mediave për ta gjetur, por fatkeqësisht, sot ai u gjet i pajetë.
Ende nuk dihen arsyet që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë akt ekstrem. Ky është rasti i tretë brenda pak ditësh në juglindje të vendit, ku të rinj të moshave të reja kanë zgjedhur t’i japin fund jetës në mënyrë tragjike.
Më 7 qershor, një tjetër i ri, Guido Dervishllari, zgjodhi t’i jepte fund jetës, duke ndërprerë para kohe rrugëtimin e tij mes ëndrrave, shpresave dhe dëshirave për të ardhmen.
Ai u gjet i vetëvarur në kodrat pranë fshatit Rrëmenj, duke shtuar kështu edhe një emër tjetër në listën gjithnjë e më shqetësuese të vetëvrasjeve në vend.
Këto ngjarje dramatike, që po përsëriten me një frekuencë alarmante, duhet të shërbejnë si thirrje e fortë për reflektim dhe veprim.
Rritja e numrit të të rinjve që ndërmarrin akte të tilla ekstreme është një fenomen shqetësues që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore dhe strukturat përgjegjëse për shëndetin mendor./Versus.al







