
Vetëm pak orë pasi u shpall “non grata” në Shqipëri, është arrestuar në Kosovë aktivistja Ikballe Huduti.
“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit ne Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës. E dyshuara është sjell për intervistim në Polici dhe me urdhër te prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, kanë deklaruar për T7 nga policia e Kosovës.
Vendimi për shpalljen "non grata" erdhi menjëherë pasi kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foton e Hudutit e cila kishte marrë pjesë në njërën prej protestave të nisura prej 25 ditësh.
Në shkrimin e publikuar, Rama pretendonte se Huduti e cila njihet për mbështetjen e saj ndaj Iranit, kishte edhe foto me njërin prej njerëzve më të afërt të regjimit të Ajatollahëve, ish-presidentin Mahmud Ahmandinexhad.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari thotë se veprimtaria e kësaj shtetasje vlerësohet si kërcënim për vendin dhe sigurinë kombëtare. Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Ikballe Huduti ka reaguar në rrjete sociale pasi u shpall ‘non gratta’ për 15 vjet në Shqipëri me urdhër të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari.Versus.al

