Media britanike Daily Mail raporton se një shtetas shqiptar ka kërkuar të mos ekstradohet drejt Shqipëria, duke pretenduar se jeta e tij është në rrezik pasi persona që kanë tentuar ta vrasin më parë mund të rikthehen për “ta përfunduar punën”.
Bëhet fjalë për Irfan Azizi, 36 vjeç, i njohur ndryshe dhe si 'Fania' e Beratit i cili gjatë një seance në Westminster Magistrates' Court deklaroi se i shpëtoi për pak atentatit në vitin 2020, kur sipas tij u qëllua rreth 30 herë me armë zjarri.
Ai tha se një plumb i goditi dorën, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Azizi pretendon se grupi kriminal që e sulmoi ka lidhje të forta dhe kryen vrasje me pagesë, madje edhe për figura të sistemit të drejtësisë dhe politikës, duke shtuar se do të hakmerreshin ndaj tij nëse kthehet në vendlindje.
Sipas raportimit, ai aktualisht ndodhet në Mbretëria e Bashkuar ku ka kërkuar azil së bashku me bashkëshorten, ndërsa më herët çifti është strehuar në një hotel të financuar nga taksapaguesit.
Gjykata britanike ka dëgjuar se Azizi kërkohet nga autoritetet shqiptare për të vuajtur një dënim me një vit burg, pasi është dënuar në mungesë për përdorim të telefonit gjatë qëndrimit në paraburgim për çështje të tjera.
Në një moment të pazakontë gjatë seancës, ai ka pranuar se kishte paguar një gjyqtar në Shqipëri për të mbyllur çështjen, duke pretenduar se për këtë arsye nuk duhet të konsiderohet më person në kërkim.
Të dhënat gjyqësore në Britani tregojnë gjithashtu se Azizi është dënuar me gjashtë muaj burg në Swindon Crown Court në prill 2025, së bashku me një tjetër shqiptar, për përdorimin e patentave të falsifikuara gjermane.
Ai ka një histori të gjatë kriminale në Shqipëri, përfshirë përfshirje në aktivitete të paligjshme si lojërat e fatit. Në vitin 2019 u dënua me dy vite burg për vjedhje dhe më pas me dy vite e tre muaj të tjera për vjedhjen e një automjeti tip Mercedes-Benz, por u lirua pas vetëm pesë muajsh.
Azizi ka përshkruar atentatin e ndodhur më 29 nëntor 2020, duke thënë se një makinë ndaloi pranë një karburanti dhe një person i armatosur hapi zjarr ndaj tij. Sipas mediave shqiptare, organizatori i sulmit dyshohet të jetë Talo Çela, një nga personat më të kërkuar në vend, i lidhur me grupe kriminale që operojnë edhe jashtë Shqipërisë.
Pas ngjarjes, Azizi u largua nga Shqipëria dhe mbërriti në Britani disa javë më vonë, ku fillimisht qëndroi tek të afërm dhe më pas u zhvendos në Sheffield, ku iu bashkua edhe bashkëshortja.
Ai pretendon se në Shqipëri ishte një biznesmen i pasur, me disa pika karburanti, lavazhe dhe një lokal, por kërkesa për azil në Britani është bazuar në frikën për jetën e tij në vendin e origjinës./Përshtati në shqip Versus.al

