
Një tjetër përplasje institucionale është shfaqur mes kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, lidhur me statusin e prokurorit Ols Dado.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar anëtarëve të KLP-së, Veliaj pretendon se kërkesa e tij për shpalljen e pavlefshme të dekretit të emërimit të Ols Dados nuk është shqyrtuar nga vetë Këshilli si organ kolegjial, por është trajtuar vetëm nga nënkryetari i institucionit, Erind Gërmenji.
Sipas dokumentit, gjatë procesit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është konstatuar se nuk ekziston një vendimmarrje kolegjiale e KLP-së për këtë çështje.
Veliaj i referohet edhe shkresës me nr. 413/3 prot., datë 11 mars 2025, të firmosur nga Gërmenji, ku thuhet se “KLP shqyrtoi kërkesën”. Sipas tij, kjo nuk përputhet me procedurën reale të ndjekur.
Në kërkesë pretendohet se çështja është marrë në shqyrtim në mënyrë individuale nga nënkryetari i KLP-së dhe jo nga institucioni në tërësi, siç përcakton ligji.
“Rezulton se përmbajtja e shkresës nuk i korrespondon realitetit procedural të trajtimit të kësaj kërkese”, thuhet në dokumentin e paraqitur nga Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës argumenton gjithashtu se neni 66 i ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” i njeh vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë kompetencën për të vendosur mbi përfundimin e statusit të një magjistrati.
Për këtë arsye, ai pretendon se shkresa e firmosur nga Gërmenji është një “akt nul”, për shkak të mungesës së një vendimi kolegjial të KLP-së.
Veliaj ngre dyshime edhe për përfaqësimin e institucionit në procesin gjyqësor, duke pretenduar se përfaqësuesja ligjore e KLP-së është paraqitur pa një mandat të miratuar nga organi kolegjial.
Në fund të kërkesës, ai u kërkon anëtarëve të KLP-së të sqarojnë nëse kanë qenë në dijeni që nënkryetari Erind Gërmenji “ka marrë personalisht në shqyrtim dhe ka vendosur lidhur me përfundimin e statusit të magjistratit të Ols Dados”.

