Videoja që tregon disa të rinj duke shkelur flamurin shqiptar me makinë ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë.
Pamjet, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë disa të rinj që hedhin në tokë flamurin kombëtar dhe më pas kalojnë me makinë mbi të, duke e përdhosur. Ngjarja ka shkaktuar indinjatë tek qytetarët, të cilët janë shprehur të revoltuar edhe për faktin se Policia, ndonëse i ndaloi personat e përfshirë, i liroi menjëherë pa masa ndëshkuese.
Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi për mediat në Kosovë se bëhet fjalë për dy të mitur dhe se rasti ka ndodhur në fshatin Studençan të Suharekës. Ai shtoi se hetimet janë në vijim.
“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuarnga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar”, - ka thënë Bytyqi.
Veprimi i të miturve shkaktoi edhe reagimin e vetëranëve të UÇK-së. Në një deklaratë të organizatës, thuhet se rasti përbën një pasqyrë të një krize të thellë morale:
“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, reagojmë me indinjatë të thellë dhe dënim të ashpër ndaj aktit të përdhosjes së flamurit kombëtar nga disa individë të papërgjegjshëm në qytetin e Suharekës.
Flamuri kuq e zi është simboli i gjakut dhe sakrificës, simboli që frymëzoi një popull të tërë për liri, që u ngrit mbi barrikada, e në zemrën e çdo shqiptari që nuk u përkul para pushtuesit.
Ky akt përbën, fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve tanë, përbuzje të vlerave të luftës çlirimtare dhe provokon rëndë moralin kombëtar, që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.
Ne, bashkërisht, kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e këtij akti të shëmtuar.
Bëjmë thirrje publike që ky rast të mos relativizohet, sepse ai është pasqyrë e një krize të thellë morale që duhet trajtuar me seriozitet dhe jo me indiferencë. Theksojmë se flamuri kuq e zi nuk është vetëm simbol i një shteti apo kohe, ai është vetë identiteti ynë kombëtar”.







