
“Little Albania” është tashmë pjesë e hartës zyrtare të enklavave të emigrantëve në New York, një nismë e Bashkisë që synon t’u prezantojë turistëve lagjet me identitetet më të spikatura kulturore të qytetit.
"New York Post" shkruan se, publikimi i hartës ka shkaktuar polemika të forta, pasi në të mungon “Little Italy”, një nga lagjet historike më të njohura të qytetit.
Kryebashkiaku Zohran Mamdani publikoi hartën me titull “Enklavat e Imigrantëve të Qytetit të New York-ut”, ku përfshihen 30 zona në pesë bashkitë e qytetit. Në të janë renditur lagje si “Little Albania”, “Little Palestine”, “Koreatown”, “Little Pakistan”, “Little Yemen”, “Little Guyana”, “Little Mexico” dhe “Little Dominican Republic”.
Por përjashtimi i “Little Italy” ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga komuniteti italo-amerikan dhe politikanë lokalë, të cilët e konsiderojnë këtë një padrejtësi ndaj historisë së emigracionit në SHBA.
“Asnjë italian… Më lini të qetë”, shkroi me ironi një përdorues në rrjetin social X, ndërsa shumë të tjerë e cilësuan të pakuptimtë mungesën e lagjes që prej më shumë se një shekulli është simbol i komunitetit italian në New York.
Këshilltarja e qytetit, Joann Ariola, e cilësoi përjashtimin e “Little Italy” si një gabim të madh.
“Ata përfshinë ‘Little Bhot-Tibet’, por harruan ‘Little Italy’, lagjen origjinale të emigrantëve. Po Woodlawn në Bronx, ku jeton një komunitet i madh irlandez? A nuk kanë rëndësi italianët dhe irlandezët për Bashkinë e New York-ut?”, deklaroi ajo për New York Post.
Edhe Joseph Scelsa, themelues i Muzeut Italo-Amerikan në Mulberry Street, reagoi ashpër ndaj mungesës së lagjes historike.
“Të respektosh një komunitet do të thotë të respektosh të gjithë. Italo-amerikanët mbeten një pjesë e rëndësishme e New York-ut. Të mos njohësh vendin ku u vendosën dhe historinë e tyre është një gabim i tmerrshëm. Shpresoj që të ketë qenë thjesht një harresë”, u shpreh ai.
Kritikat nuk erdhën vetëm nga komuniteti italian. Përfaqësues të komunitetit irlandez theksuan se edhe lagje si Woodlawn apo Sunnyside, të njohura për popullsinë me origjinë irlandeze, janë lënë jashtë hartës.
Kevin McCabe, ish-shef i stafit të Këshillit Bashkiak, tha se dokumenti injoron breza të tërë emigrantësh irlandezë.
“Mbase nuk kanë dëgjuar kurrë për Woodlawn apo Sunnyside, por irlandezët janë kudo dhe kështu duhet të jetë. Perandoria Britanike nuk arriti t’i fshinte irlandezët, ndaj nuk shqetësohem nga disa burokratë të keqinformuar”, deklaroi ai.
Reagime pati edhe nga përfaqësues të komunitetit hebre, të cilët kritikuan mungesën e lagjeve me popullsi të madhe hebraike ortodokse, si Borough Park në Brooklyn.
Shkrimtarja Avital Chizhik-Goldschmidt shkroi në X se harta përfshin “Little Africa”, “Little Poland” dhe “Little Palestine”, por nuk arrin të përfaqësojë komunitetin hebre, që përbën rreth 11% të popullsisë së qytetit.
Ndërkohë, anëtari i Asamblesë Shtetërore të New York-ut, Kalman Yeger, akuzoi kryebashkiakun Mamdani se “fshirja e hebrenjve është bërë pjesë e markës së tij politike”.
Pas polemikave, Bashkia e New York-ut reagoi duke sqaruar se harta nuk ishte hartuar për të përfshirë çdo komunitet etnik apo fetar, por vetëm lagjet me popullsi të konsiderueshme të lindur jashtë Shteteve të Bashkuara.
Sipas zëdhënësit të Bashkisë, projekti ka nisur gjatë administratës së ish-kryebashkiakut Eric Adams dhe synon t’i ndihmojë vizitorët të njohin diversitetin kulturor të qytetit.
“Harta nuk është një listë e plotë e të gjitha komuniteteve të New York-ut. Ne planifikojmë të shtojmë lagje të tjera në muajt e ardhshëm”, deklaroi zëdhënësi./Versus.al

