Është ekstraduar nën masa të rrepta sigurie nga Spanja Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i cili kishte organizuar dhe porositur Amarildo Nikollin për të vrarë shtetasit Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Leonard Luzi, i cili mban dhe mbiemrat Zejno dhe Sejno, teksa ndryshe njihet me nofkat si “Nard Çami” ose “Daku“ u arrestuar në Spanjë në kuadër të operacionit ‘Rekrutuesi’ pas bashkëpunimit mes dy vendeve në korrik të këtij viti.
Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK pasi akuzohet si organizator i atentatit të mbetur në tentativë ndaj ndaj Inez Hajrullas i njohur me nofkën “Sakati” dhe Ervis Matodashajn i njohur me nofkën “Qorri”.
Mbi Leonard Luzin rëndojnë akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve të SPAK, Leonard Luzi kishte rekrutuar vrasësin me pagesë Amarildo Nikolli alias Xhanej, i njohur me nofkën “Shkodrani” për të vrarë në qytetin e Vlorës, Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn ”. Për të kryer këtë vrasjet, ata janë ndihmuar edhe nga të bashkëhetuarit Erjon Zejno dhe Muharrem Koroveshi.
Në dosjen hetimere thuhet se “Shkodrani” do të paguhej 500 mijë euro në total, nga 250 mijë euro për secilin, për të vrarë “Sakatin” dhe Qorrin”.
Leonard Luzi është kushëri nga ana e babait me Erigert Zejno, i vrarë më datë 22 Mars të vitit 2013, në lagjen “11 Janari” në Vlorë dhe vrasja e Inez Hajrullas dhe Ervis Matodashajn do të kryej për hakmmarjen e tij, si dhe për të marrë kontrollin e lojërave të fatit në Vlorë. Pagesa do të kryhej nga një person në Dubai.
Njoftimi i Policisë
Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet.
Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje./Versus.al








