AKTUALITET /

Vranë 20 vjeçarin që donte të fejohej me vajzën e mitur, lihen në burg 2 autorët e dyshuar

Dy autorët u arrestuan 10 muaj pas krimit të rëndë që kryen më 20 shkurt të këtij viti.

Shkruar nga Versus
Vranë 20 vjeçarin që donte të fejohej me vajzën e
Viktima, Pavlin Preka dhe vendi ku ndodhi ngjarja

Shkodër- Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Vasel Koçekun, 43 vjeç dhe Klaudio Lisajn, 20 vjeç të dyshuar si autorët e vrasjes së Pavlin Prekës më 20 shkurt të këtij viti në zonën e Gucisë së Re.

Arrestimi i tyre u bë më 20 dhjetor të këtij viti pasi u zbulua se dy të arrestuarit kishin vrarë të riun. Prokurori Albert Murçaj kërkoi masën më të rëndë të sigurisë duke pretenduar se ekzistojnë përgjime ambientale të cilat përbëjnë bazë të fortë për dyshimet që kanë mbi ngjarjen.

Të dy të dyshuarit kanë mohuar në mënyrë të përsëritur autorsinë e krimit, si gjatë marrjes në pyetje nga policia, ashtu edhe gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë. Ata kanë deklaruar se nuk kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe se nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen. Mohime të njëjta janë bërë edhe në ditët e para pas krimit kur policia i mori në pyetje këta dy shtetas, por edhe tani, rreth 10 muaj pas ngjarjes.

Vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe. Historia, sipas hetimeve, nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.

Preka nuk ka hequr dorë dhe këtë gjë e kishte folur edhe me persona të tjerë. Dyshohet se ka qenë Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku ai që e ka nxjerrë në pritë Pavlin Prekën teksa ky i fundit ndodhej në banesën e tij në Guci të Re. Versus.al

Poll