POLITIKË /

"Revolta paqësore", Berisha: Ramën nuk e rrëzojmë me armë, por me protesta të përditshme

Sipas kreut të PD, vetëm protestat e vazhdueshme në shesh mund të çojnë në largimin e Ramës si kryeministër.

Shkruar nga Versus
"Revolta paqësore", Berisha: Ramën nuk e rrëzojmë
Sali Berisha

Kryedemokrati Sali Berisha doli sot në një konferencë për mediat ku denoncoi sërish faktet e reja të nxjerra nga dosja e SPAK për biznesmenin e shpallur në kërkim Ergys Agasin e cilësuar si kreun e ‘grupit kriminal’ të AKSHI-t.

Teksa përmendi protestën e zhvilluar të hënën duke thënë se tregoi se qytetarët janë gati për të qëndruar krah opozitës, Berisha tha se duhet që revolta të jetë paqësore dhe e qëndrueshme në mënyrë që të detyrojë Ramën të largohet dhe të dalë para drejtësisë.

“Dhe unë i garantoj qytetarët me besimin më të madh se me revoltën e tyre, me revoltën e popullit opozitar, Edi Rama do ia mbathë siç ia ka mbathur çdo diktator tjetër. I garantoj se edhe prapa diellit po të shkojë, do ta sjellim para gjykatës në Shqipëri.Pra, sot për largimin e tij nuk kërkohet asgjë tjetër përveç guximit, vendosmërisë dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë në një protestë të qëndrueshme gjer në largimin e tij.

Prova u bë, revolta u dëshmua. Por kjo duhet të jetë e qëndrueshme. Bulevardi duhet të jetë i qytetarëve. Sheshi duhet të jetë i qytetarëve. Jo një ditë, dy apo tre, por aq kohë sa duhet për ta larguar. Ndaj dhe ne do punojmë fort,opozita do punojë fort për të bindur qytetarë të gatshëm për sakrifica në një revoltë paqësore për të larguar nga skena regjimin më të urryer, më armiqësor, që ata kanë pasur pas Enver Hoxhës që ata kanë pasur në histori.”- tha Berisha.

Më tej ish-kryeministri shtoi se edhe në vende të tjera është provuar se revolta e qëndrueshme çon në largimin e pushtetarëve.

“Tani qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se rruga e rrëzimit të Ramës nuk është absolutisht me armë, por me revoltë paqësore të qëndrueshme dhe të përditshme deri në largimin e tij. Eksperienca botërore fakton se kjo është rruga më e suksesshme. Opozita duhet ta ketë të qartë se vetëm revolta e përditshme është rruga për ta nisur aty ku e kanë vendin narkodiktatorët. Ne kemi besim shumë të madh se do e rrëzojmë”- shtoi Berisha por nuk dha një datë konkrete për protestën e radhës. Versus.al

Poll