POLITIKË /

Gonzato mbyll mandatin pas 3 vitesh në Shqipëri: Falenderoj Ramën, ky vend do mbetet në zemrën time

Ndërsa shprehu mirënjohjen ndaj shqiptarëve, Gonzato falenderoi Ramën për medaljen e akorduar.

Shkruar nga Versus

Gonzato mbyll mandatin pas 3 vitesh në Shqipëri: Falenderoj

Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato ka mbyllur mandatin e tij diplomatik në Shqipëri. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku publikoi foto edhe me kryeministrin Edi Rama, të cilin e falenderoi për medaljen e dhënë, Gonzato tha se Shqipëria do të mbetet përgjithmonë në zemrën e tij.

Mes të tjerash shtoi se vendi është gjithnjë e më shumë pranë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë për mua shumë më tepër sesa një treg apo një ekonomi e përbashkët. Ai ka të bëjë me njerëzit dhe vlerat që ndajmë: lirinë, barazinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Këto vlera më kanë udhëhequr gjatë tri viteve të mia në Shqipëri. Jam mirënjohës për të gjithë shqiptarët e jashtëzakonshëm që kam takuar gjatë këtij rrugëtimi.

Jam mirënjohës që kam qenë pranë tyre, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë synimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Kemi qenë kërkues, por të drejtë. Kemi bërë thirrje që të gjithë të jenë pjesë e këtij rrugëtimi drejt një shoqërie ku secili mund të japë kontributin e tij, ku institucionet mbrojnë të drejtat e çdo qytetari dhe ku brezi i ri ka zërin e tij në formësimin e së ardhmes së këtij vendi të bukur.

Faleminderit Kryeministër Edi Rama që më nderuat, në emër të Shqipërisë, me Yllin e Madh të Medaljes ‘Benemerenti’.

Ky vend do të mbetet në zemrën time për gjithë jetën. Shihemi në BE,”- shkroi Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Versus.al

Poll