
Në vizitën e tij të parë në Theth, që pas shembjes me tritol të bujtinave në këtë zonë 1 vit më parë, kryeministri Edi Rama u dha përgjigje dhe akuzave se ai kishte premtuar më herët legalizmin e bujtinave.
“Nuk është e vërtetë se unë kam premtuar legalizime për këto bujtina që u shembën me tritol. Unë kam thënë se do të legalizohen godinat ekzistuese, do legalizojmë duke nisur nga ndërtimet e vjetra sepse siç e dini ju dhe ata që kanë trashëguar kulla në një zonë të mbrojtur, nuk kishin letra dhe nuk ja regjistronin në hipotekë sepse ishte në zonë të mbrojtur”, tha Rama.
Sipas Ramës, banorët e Thethit filluan të ndërtojnë masivisht pa leje, me shpresën se do të arrijnë të përfitojnë në procesin e legalizimeve të objekteve ekzistuese.
"Unë nuk kam ardhur këtu dhe kam thënë: vazhdoni dhe ndërtoni se i legalizojmë. Se nuk kam pasur si ta them se do isha në shkelje të ligjit. Unë kam ardhur këtu dhe kam thënë që do legalizojmë këto ekzistueset. Do legalizojmë duke filluar nga ndërtimet e vjetra. Edhe ata që kanë trashëguar kulla në një zonë si kjo, nuk kishin letra. Nuk ia vinte njeri kullën në hipotekë se i thoshin në një zonë të mbrojtur, dhe duke qenë në zonë të mbrojtur mbaje kullën, nuk vjen njeri ta prishë, por nuk bëhet pronë e jotja. Pastaj realiteti i krijuar nga ata që ndërtuan më pas pa leje në kushtet kur këtu nuk kishte asgjë.
Do legalizohen ata që ekzistojnë. Ajo që ndodhi ishte që pas vizitës sime shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme aty, meqë po e legalizojmë thanë hajt se po futemi. U arrit të goditej kartolina botërore e Thethit. Po të shkosh e të shkruash Theth në të gjitha gjuhët e botës, është kisha me lëndinën e gjelbër. Lëndina e gjelbër u zaptua, u vunë e shtëpiza druri, u rrethua, u shtrua me zhavorr dhe u kthye në një plagë mu në mes të Thethit. Si mund t’i lejonim ne këto?",- tha Rama./Versus.al
View this post on Instagram



