POLITIKË /

Rama prezanton kompaninë shtetërore “Albanian Digital Solution”: Jo më peng i privatit

Me 345 punonjës dhe kapital fillestar prej 700 milionë lekësh, ADS do të merret me zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale të shtetit, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e infrastrukturës teknologjike

Shkruar nga Versus

Rama prezanton kompaninë shtetërore “Albanian Digital

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kompaninë shtetërore “Albanian Digital Solution”, e cila do të operojë në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale publike.

Me 345 punonjës dhe kapital fillestar prej 700 milionë lekësh, ADS do të merret me zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale të shtetit, inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e infrastrukturës teknologjike.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi krijimin e kompanisë si një hap të ri në revolucionin digjital, duke theksuar se ADS synon të ulë varësinë e institucioneve shtetërore nga kompanitë private për mirëmbajtjen e sistemeve kritike.

“Ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital. Sot ne bëjmë publike një kompani të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë tëre të zhvillimit të qeverisjes elektronike. Një kompani që të jetë garanci për institucionet e vendit, që nuk mund të mbeten peng i privatëve në mirëmbajtjen e sistemeve të tyre”.

Sipas kryeministrit Edi Rama, krijimi i ADS nuk vjen si pasojë e hetimeve në të cilat janë përfshirë ish-drejtuesit e AKSHI-t, por si rezultat i zgjerimit të shërbimeve dhe rritjes së nevojave në qeverisjen elektronike.

“Lindi nevoja për të ndarë udhëheqjen e qeverisjes elektronike dhe kontrollin e cilësisë me gjithë nivelin operacional. Duke krijuar një kompani të re, ADS, që do të zhvillojë sisteme pa pasur gjithmonë nevojë që shteti t’i drejtohet privatit”.

Sipas tij, kompania do të ketë pagat më të larta në tregun e shërbimeve digjitale.

“Do të bëhet superfuqia e tregut të shërbimeve digjitale publike. Do t’i paguajë punonjësit më mirë se çdo kompani në treg”.

Kryeministri Rama shtoi se shteti synon të krijojë zgjidhje që mund të kthehen në module dhe prototipe që Shqipëria mund t'i eksportojë. Versus.al

Poll