
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, për të 29-ën herë radhazi. Ashtu si në seancat e mëparshme, skenari është identik: deputetët mblidhen, qëndrojnë pak minuta, nuk bien dakord dhe caktojnë një tjetër vazhdim pas 48 orësh. E njëjta karrige e zbrazët, e njëjta retorikë dhe mbi të gjitha – i njëjti inat.
Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi ende nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin dhe pesë nënkryetarët – një hap thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë së re. Për qytetarët, kjo do të thotë: asnjë vendim, asnjë ligj, asnjë zgjidhje. Vetëm teatër.
LVV këmbëngul me Albulena Haxhiun. Të tjerët thonë "jo faleminderit".
Figura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë 61 votat e nevojshme. Propozimi i saj është kundërshtuar vazhdimisht nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat nuk pranojnë as të formojnë komisionin për votim të fshehtë. Për ta, Haxhiu është figurë përçarëse. Për LVV, është “e duhura”.
Ndërkohë, LDK ka dalë me propozimin për një qeveri uniteti, një ide që është refuzuar kategorikisht nga Vetëvendosje, duke e cilësuar si tentativë për të shkelur vullnetin popullor.
Kushtetuta përplaset me procedurën. Gjykata Kushtetuese në lojë.
Çështja e mënyrës së votimit është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa për votim të fshehtë është ndalur nga partitë opozitare, të cilat pretendojnë se procedura e ndjekur nga LVV nuk është kushtetuese.
Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar publikisht se vonesat po dëmtojnë seriozisht kredibilitetin institucional dhe rrugëtimin euroatlantik të vendit.
A po na çojnë drejt zgjedhjeve të tjera?
Përfaqësues të ndryshëm politikë, përfshirë nga VV dhe LDK, kanë lënë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të reja – ndoshta në tetor, së bashku me zgjedhjet lokale. Por edhe kjo ide ka ndarë skenën politike, me PDK që kërkon që zgjedhjet parlamentare të mbahen më herët dhe veçmas.
Ndërkohë, qytetarët presin. Jo më reforma, jo më premtime. Thjesht që... dikush të flasë për ta. Versus.al







