BOTA /

BDI nuk është më forcë e parë e shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti: Zgjedhje të manipuluara

Më herët Ahmeti, pa përmendur emra kishte nënkuptuar se Albin Kurti po ndërhynte në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut duke favorizuar koalicionin shqiptar "VLEN"

Shkruar nga Versus

BDI nuk është më forcë e parë e shqiptarëve

Pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, koalicioni shqiptar “VLEN” fitoi në 5 komuna të vendit. Kreu i VLEN, Izet Mexhiti tha se qytetarët shqiptarë kishin vendosur që legjitimiteti t’u jepet atyre.

“Ne ju thamë që në fillim, këta janë zgjedhje lokale, zgjedhje për komuna. Ata kërkuan referendum, kërkuan legjitimitet dhe sovrani e vulosi që legjitimitetin e shqiptarëve e ka VLEN-i prej Dollnenit deri në Dibër, Strugë. Prandaj sonte kanë fitua shqiptarët, kanë fituar ata që kanë besuar në ndryshim”, tha Izet Mexhiti.

Ndërsa Ali Ahmeti kreu i partisë tjetër shqiptare BDI, e cila nuk arriti të ishte forcë e parë e shqiptarëve në këto zgjedhje, tha se zgjedhjet ishin të manipuluara. Pavarësisht se i kërkohet të japë dorëheqjen, Ahmeti e vuri theksin tek nevoja për ristrukturim në terren duke pretenduar se partia e tij kishte marrë më shumë vota në total pavarësisht se VLEN-i fitoi komunat.

“Rezultatet janë tashmë të njohura, ne kemi fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin në këto zgjedhje, me mbi 23 mijë vota më shumë por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Ky është një mesazh kompleks që ne e pranojmë me respekt dhe përgjegjësi. Qytetarët kërkojnë që ne të rinovojmë mënyrën si përfaqësohemi në terren. Rezultatet në disa komuna janë pasojë e koalicioneve joparimore dhe marrëveshjeve të përkohshme që kanë shkelur frymën e garës”, tha Ahmeti.

Lideri i BDI-së, ka thirrur sot mbledhjen e radhës në Selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël. Sipas informacioneve thuhet se në këtë mbledhje do të diskutohet rezultati i fundit për zgjedhjet lokale. Nuk dihet nëse do të diskutohet për ndryshimet e kryesisë dhe tërë organeve partiake. Versus.al

Poll