
Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka deklaruar se qarqe politike dhe struktura të sigurisë nga Beogradi kanë tentuar të destabilizojnë Kosovën në periudha të ndryshme.
Në një intervistë televizive, ai tha se pas të ashtuquajturës “afera S.Ç.” qëndronin, sipas tij, shërbime të lidhura me strukturat e sigurisë serbe dhe me politika të periudhës së Slobodan Millosheviqit dhe Vojislav Koshtunicës.
Gjukanoviç pretendon se qëllimi i këtyre veprimeve ishte pengimi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe dëmtimi i imazhit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ai shtoi se në kuadër të këtij plani dyshohej për përpjekje për afrimin e vajzave me zyrtarë të lartë ushtarakë të KFOR-it, por sipas tij këto aktivitete janë parandaluar nga KFOR dhe UNMIK në atë kohë.
Deklaratat e tij janë pjesë e një qëndrimi më të gjerë kritik ndaj politikave rajonale dhe rolit të strukturave të ndryshme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

