Gabrijela Zalac, ish-ministre e fondeve të Bashkimit Evropian në Kroaci, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes, pasi më 2 shtator, Zalac u dënua me shtatë muaj burg pasi rezultoi se kishte përdorur pothuajse 10 mijë euro nga fondet e BE-së për të shijuar jetën e luksit në restorante të shtrenjtë, në të paktën nëntë raste të dokumentuara. E gjithë kjo ndërsa mbante postin e ministres për fondet evropiane.
Sipas Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO), që ka në dorë hetimet për shpërdorimin e parave të BE-së, një pjesë e madhe e këtyre shpenzimeve luksoze shkuan për ditëlindjen e saj të 40-të, e cila, sipas mediave kroate, nuk ishte thjesht një festë, por një "banket" në stil të madh gjithçka, natyrisht, në kurriz të taksapaguesve evropianë.
Por ky nuk është dënimi i saj i vetëm.
Zalac, e cila u arrestua për herë të parë në vitin 2021, tashmë është e dënuar edhe për një aferë tjetër këtë herë për një kontratë të fryrë në mënyrë të dyshimtë për blerjen e një sistemi IT për ministrinë që drejtonte. Aty, dëmi ndaj buxhetit kapte shifrën mbi 1.3 milion euro.
Për këtë aferë, ajo pranoi fajësinë dhe u dënua me dy vjet burg, ndërsa është pajtuar të kthejë 200 mijë euro si kompensim të pjesshëm për dëmin.
Zalac, që u shkarkua nga posti në vitin 2019, është një nga disa ish-ministra të partisë konservatore HDZ, e cila drejtohet nga kryeministri Andrej Plenković, që janë përballur me akuza për korrupsion që nga viti 2016.







