BOTA /

Franca lëshon urdhërarrest për Assadin

Një raketë goditi “qendrën joformale të shtypit” më 22 shkurt 2012, duke vrarë gazetaren e njohur amerikane Marie Colvin dhe fotografin francez Remi Ochlik dhe duke plagosur dy gazetarë të tjerë dhe një përkthyes.

Shkruar nga Versus

Franca lëshon urdhërarrest për Assadin

Gjykatësit francezë kanë lëshuar urdhër-arreste për shtatë ish-zyrtarë të lartë sirianë, përfshirë ish-presidentin Bashar al-Assad, për bombardimin e një qendre shtypi në Homs në vitin 2012, kanë thënë të martën për Reuters një burim gjyqësor dhe një organizatë për të drejtat e njeriut.

Homsi, në Sirinë perëndimore, ishte një fortesë e madhe rebele gjatë luftës civile siriane dhe u rrethua nga forcat qeveritare të Asadit nga viti 2011 deri në vitin 2014. Rrethimi përfundoi me tërheqjen e rebelëve anti-Assad nga qyteti. 

Një raketë goditi “qendrën joformale të shtypit” më 22 shkurt 2012, duke vrarë gazetaren e njohur amerikane Marie Colvin dhe fotografin francez Remi Ochlik dhe duke plagosur dy gazetarë të tjerë dhe një përkthyes.

Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut ka thënë se shtatë ish-zyrtarët ishin akuzuar për bashkëpunim në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për sulmin ndaj qendrës.

Franca lejon paraqitjen e çështjeve për krime kundër njerëzimit në gjykatat e saj. Burimi gjyqësor ka thënë se shtatë urdhër-arreste evropiane ishin lëshuar muajin e kaluar.

Një organizatë tjetër për të drejtat e njeriut, Qendra Siriane për Median dhe Shprehjen e Lirë, ka thënë se hetimi gjyqësor francez kishte zbuluar se sulmi kishte synuar qëllimisht gazetarët e huaj.

“Hetimi gjyqësor përcaktoi qartë se sulmi ndaj qendrës informale të shtypit në Bab Amr ishte pjesë e qëllimit të qartë të regjimit sirian për të synuar gazetarët e huaj me qëllim që të kufizonte mbulimin mediatik të krimeve të tij dhe t’i detyronte ata të largoheshin nga qyteti dhe vendi”, ka thënë Mazen Darwish, një avokat dhe drejtor i përgjithshëm i Qendrës Siriane për Median dhe Lirinë e Shprehjes, në një deklaratë.

Asadi ka ikur në Rusi në dhjetor të vitit 2024 kur forcat kryengritëse pushtuan Sirinë me një ofensivë të shpejtë, duke i dhënë fund më shumë se pesë dekadave të sundimit nga familja e tij.

 

Poll