Mëngjesin e së shtunës, në atmosferë zie dhe me lot në sytë e të pranishmëve, u zhvillua ceremonia e varrimit të Diogo Jota dhe të vëllait të tij, André Silva, në qytetin e tyre të lindjes, Gondomar – pranë Porto-s, Portugali. Ata humbën jetën në një aksident tragjik me makinë në Spanjë.
Jota, i cili vetëm disa ditë më parë ishte martuar me partneren e tij, Rute Cardoso, la pas tre fëmijë. Lamtumira e fundit u shoqërua nga trishtim i thellë dhe një zi e heshtur.
Një numër i madh njerëzish u mblodhën në Kishën Igreja Matriz, duke formuar një procesion heshtjeje, dhimbjeje dhe respekti.
Që në orët e para të mëngjesit, turma kishin nisur të vërshonin drejt Capela da Ressurreição dhe kishës ku u zhvillua ceremonia, duke mbajtur lule në duar. Mes tyre ndodheshin miq të vjetër nga hapat e parë të karrierës së tij futbollistike, ish-trajnerë, tifozë të thjeshtë, por edhe figura të njohura të sportit portugez dhe atij ndërkombëtar. /Versus.al







